Aktori i mirënjohur italian Michele Placido, ka marrë pjesë si i ftuar nderi në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të shkurtër  “Apolonia International Students Film Festival” që po zhvillohet në qytetin e Fierit.

Aktiviteti vjen si një bashkëpunim i qendrës rinore “Epoka e Re” me Bashkinë e qytetit Fier dhe financues kryesor qeverinë suedeze. Ky është edicioni i dytë i këtij eventi artistik. Në këtë edicion konkurojnë 50 filma me metrazh të shkurtër nga 29 shtete të Botës.

Aktiviteti nisi me parakalimin në tapetin e kuq, ndërsa drejtori i këtij festivali, Ervis Koçi, tha se ky aktivitet çel një dritare komunikimi multikulturor. Pjesëmarrës në këtë festival ishin edhe aktorët e filmit  “Amnistia” të regjisorit Bujar Alimani, film i cili në formë përshëndetëse hapi natën e parë të këtij festivali.

Në mesditë Michele Placido është pritur me nderime nga kryetari i Bashkisë. Juria e “Apolonia International Students Film Festival” përbëhet nga emra të njohur të kinematografisë nga vendet pjesëmarrëse me kryetar aktorin dhe regjisorin Mevlan Shanaj.

Nata e fundit e festivalit është menduar të jetë një natë gala dhe do të zhvillohet në ambientet e qytetit antik të Apolonisë. Për pjesëmarrësit do të ndahen disa çmime, ndër kryesorët janë: Dokumentari më i mirë, filmi më i mirë si dhe filmi më i mirë në gjuhën shqipe.

Top Channel