Tajfuni ‘Usagi’ lëviz drejt Azisë jug-lindore

21/09/2013 00:00

Shira të dendura dhe erëra të forta po përplasen në veri të Filipineve dhe në Taivan, teksa tajfuni ‘Usagi’ po lëviz përmes Ngushticës së Luzonit, që ndan dy vendet.

Fshatra të tërë janë evakuuar, udhëtimet e trageteve janë pezulluar dhe po ashtu janë anuluar fluturimet. Autoritetet kanë dhënë një alarm të kuq në prag të mbërritjes së stuhisë ditën e hënë.

Meteorologët deklarojnë se stuhija është më e fuqishmja e këtij viti dhe do të sjellë reshje të dendura që do të arrijnë në 1 mijë milimetra, teksa dukuria natyrore do t’i afrohet Kinës.

Qendra meteorologe e marinës amerikane deklaroi të premten se ‘Usagi’ po lëvizte me erëra që arrijnë në 240 kilometra në orë dhe stuhi që kapin 290 km/h, duke e barazuar fuqinë e tij me kategorinë numër 4 të uraganit atlantik.

Taivani raportohet të ketë vendosur mbi 1.600 ushtarë në gjendje gatishmërie në zonat me rrezik të lartë, të cënueshme nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës.

Ndërsa autoritetet në Filipine raportohet se kanë evakuuar rreth 250 banorë në provincën veriore të Tarlakut, ndërsa tragetet janë mbyllur në porte.

Aktualisht ka shqetësime serioze për impaktin që stuhija do të ketë në ishujt Batane, në veri të Filipineve, me paralajmërimin e autoriteteve se pemë të mëdha mund të rrëzohen, plantacionet mund të përmbyten dhe komunikimet të ndërpriten nga vërshimi i ujërave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB