Siria dorëzon të dhënat për armët kimike

21/09/2013 00:00

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike njofton se ka marrë sasinë e pritshme të informacioneve nga Siria lidhur me arsenalin e armëve kimike që ai zotëron.

Deklarata nga kjo organizatë me qendër në Hagë mbërrin pikërisht në ditën e vendosur nga marrëveshja SHBA-Rusi si afati i fundit për dorëzimin e të dhënave të hollësishme mbi llojin, sasinë dhe vendndodhjen e armëve kimike të Sirisë, që besohet se ka rreth 1 mijë ton.

“Konfirmojmë se kemi marrë informacionin e nevojshëm nga qeveria siriane lidhur me arsenalin dhe programin e saj të armëve kimike”, thuhet në deklaratën e Organizatës së Ndalimit të Armëve Kimike.

Organizata saktëson se informacioni i marrë është duke u verifikuar dhe krahasuar me të dhënat e mëhershme që janë në arkivat e zyrës së saj.

Të hënën raporti i OKB-së konfirmoi se në rajonin e Ghouta-s është përdorur gaz sarin gjatë sulmit të 21 gushtit ku mbetën të vrarë mbi 1400 persona, rreth 400 prej të cilëve fëmijë.

Ashtu sic ishte parashikuar në misionin vëzhgues, ekspertët e OKB-së nuk thonë se cila palë ka përdorur armët kimike, por Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania e Madhe fajësojnë regjimin e presidentit Bashar al-Assad për këtë. Nga ana e tij, Damasku mohon akuzat duke akuzuar për këtë grupet e armatosura të opozitës.

Të premten, zv.kryeministri sirian tërthorazi bëri thirrje për bisedime duke deklaruar se palët në konflikt janë aq të barabarta sa është e vështirë që lufta të fitohet nga njëra prej tyre në një të ardhme të afërt.

Mbi 100 mijë persona kanë gjetur vdkejen që nga nisja e protestave kundër presidentit Assad në vitin 2011 dhe miliona të tjerë janë zhvendosur për t’iu shmangur zonave të konfliktit. Mbi 2 milion është numri i atyre që kanë lënë Sirinë duke u strehuar në kampe në vendet fqinjë, Liban, Jordani, Turqi dhe Irak, ndërsa qindra-mijëra të tjera kanë lëvizur brenda për brenda vendit.

Top Channel