Si u shmang katastrofa bërthamore

21/09/2013 00:00

Një bombë atomike prej 4 megaton ka qenë pranë shpërthimit në vitin 1961 në Shtetet e Bashkuara, tregon një ish-dokument sekret i publikuar së fundmi.

Dy bomba ndodheshin në bordin e avionit “B-52” që fluturoi mbi Karolinën e Veriut dhe të dyja ranë, por vetëm njëra nisi procesin e shpërthimit.

Dokumenti u publikua për herë të parë në gazetën britanike “The Guardian”.

Qeveria amerikane ka qenë në dijeni të ngjarjes edhe më parë, por kurrë nuk e kishte bërë publik faktin se sa pranë shpërthimit ishte një prej bombave.

Dokumenti u sigurua nga gazetari Eric Schlosser në bazë të Aktit të Lirisë së Informacionit. Schlosser tha për BBC se një shpërthim i tillë do të kishte ndryshuar rrënjësisht rrjedhën e historisë.

Avioni po kryente një fluturim rutinë kur filloi të kishte një avari mbi zonën e Karolinës së Veriut më 23 janar 1961. Teksa avioni po thërmohej në ajër, një komandë në kabinë liroi dy bombat me hidrogjen “Mark 39” mbi lokalitetin Goldsborou.

Njëra ra në tokë e çarmatosur, por e dyta kaloi të gjitha mekanizmat e armatosjes, përveç njërit dhe shkoi shumë pranë shpërthimit. Gazetari Eric Schlosser saktësoi se vetëm mosfunksionimi i një çelësi me voltazh të ulët parandaloi katastrofën.

Bomba ishte pothuajse 260 herë më e fuqishme se bombat që ranë në Hiroshima dhe Nagasaki të Japonisë. Ngjarja ndodhi gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, vetëm një vit para se kriza e raketave kubaneze të çonte frikën e armëve bërthamore në dyert e Amerikës.

Top Channel