Merkel bën pazar një ditë para zgjedhjeve

21/09/2013 00:00

Thjeshtësia dhe dora e hekurt, sidomos në politikat ekonomike kanë shndërruar Angela Merkel në politikanen më të dashur për gjermanët.

Në shumë raste ajo nuk druhet të tregojë jetën e thjeshtë që bën duke hequr dorë nga shumë privilegje që i jep pushteti. E kemi parë duke ndjekur Gjermaninë në futboll dhe duke gëzuar “si e çmendur” mes tifozëve, e kemi parë duke ecur mbi tapetin e kuq për të ndjekur ndonjë koncert të muzikës klasike apo duke pirë birra nën ritme muzikore të zhurmshme.

Këtë herë, një ditë para se miliona votues t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur, Merkel është fotografuar duke bërë pazar në një supermarket e shoqëruar vetëm nga një truprojë i kujdesshëm për të ruajtur distancën e nevojshme ndaj shefes së tij.

Sondazhet favorizojnë lehtë kancelaren Merkel dhe koalicionin e saj dhe në rast të një fitoreje, ajo do të siguronte mandatin e tretë në krye të Gjermanisë.

Sipas analistëve politikë, gjermanët ndjehen të sigurtë në duart e Merkel që me politikat e saj ka ruajtur të paprekur nga kriza ekonominë gjermane. Por mbështetja e madhe e brendshme nuk ka të njëjtin reflektim jashtë, sidomos në vendet e prekura më shumë nga kriza e Eurozonës.

Në Itali, Spanjë e sidomos në Greqi nuk kanë munguar format e ndryshme të protestës ndaj saj, duke e krahasuar shpesh me Hitlerin. Mediat në këto vende, përfshirë ato angleze e kanë pagëzuar me emrin “Mrs Nein”, që në shqip përkthehet “Zonja Jo” dhe kjo falë refuzimit të njëpasnjëshëm të saj për lehtësimin e politikave shtrënguese financiare në vendet e prekura nga kriza.

Top Channel