Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar se qeveria e
Kosovës kërkon përfundimin e mandatit të misionit EULEX në qershor të
vitit të ardhshëm.

Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Kuçi ka thënë së qeveria ka bërë një strategji në vitin 2011 të cilën e ka prezantuar në Bruksel dhe një tjetër në vitin 2012, e cila ka përfunduar dhe i është dërguar Kuvendit për miratim.

“Strategjia ka për qëllim që të bëjmë një tranzicion të lehtë, një tranzicion në koordinim bashkë me EULEX-in dhe me faktorët e tjerë ndërkombëtarë. Pra, jo duke tentuar ta largojmë EULEX-in pa plotësuar kapacitetet tona, por me një marrëveshje”, ka thënë Kuçi.

Gjatë intervistës, Kuçi ka theksuar se me strategjinë e Kosovës për përfundimin e mandatit të EULEX-it është njohur edhe faktori ndërkombëtar dhe aktualisht gjithçka është në fazën e negocimit.

“Jemi duke bërë vlerësimin. Do ta bëjmë bashkarisht. Qëllimi ynë është që mandati i EULEX-it të përfundojë kështu siç është. Se si do të funksionojë më vonë, në formën e monitorimit apo këshillimit, kjo duhet të negociohet. Vendimet tona nuk do të jenë unilaterale, por do të merren në bazë të këshillimeve me Brukselin”, ka thënë ai.

I pyetur nëse arrestimet e pesë ish-komandantëve të UÇK-së të njohur si “Grupi i Drenicës” kanë rritur ashpërsinë e qëndrimeve ndaj EULEX-it, Kuçi ka thënë se në momente të caktuara kjo ka influencuar, por sipas tij qeveria nuk ndikohet prej tyre.

“Largimi i EULEX-it nga Kosova nuk nënkupton ikjen nga drejtësia për askënd që ka vepruar ndesh me ligjin”, ka shtuar Kuçi, njëkohësisht ministër i Drejtësisë.

Top Channel