Autopsi vetëm me një aplikacion

21/09/2013 00:00

Në shumë vende të botës sistemet për mbledhjen e të dhënave jetësore të
qytetarëve nuk funksionojnë dhe shumë vdekje nuk regjistrohen.

Por tani, përmes një aplikacioni të veçantë për telefonat celularë, gjërat mund të ndryshojnë. Përmes një teknike të njohur si “autopsia verbale”, punëtorët e terrenit do të vizitojnë banorët për t’i pyetur mbi rrethanat e vdekjes së familjarëve.

Duke mbledhur informacione në rrugë dixhitale në vende që fizikisht janë të vështirë që të arrihen është e mundur të revolucionarizohet kuptimi i shëndetit global.

Në Malaui, çdo vdekje që verifikohet jashtë komplekseve mjekësore nuk regjistrohet. Doktoreshë Carina King, e diplomuar në Londër, po mbikëqyr implementimin e autopsive përmes celularëve në rajonin Mchinji të Malauit.

“Çuditërisht njerëzit kanë qenë shumë të hapur dhe mendoj se celulari iu duke një mjet interesant kur i morëm në pyetje”, tha King për BBC.

Autopsitë verbale përdoren prej rreth 20 vitesh por informacioni zakonisht regjistrohej në një formular prej letre. “Telefonat inteligjentë kanë qenë shumë efikasë dhe nuk na duhet të kemi pirgje letrash përreth”, thotë dr. King.

“Ne kemi akses të shpejtë tek të dhënat dhe mund t’i analizojmë me shpejtësi për të gjetur shkaqet e vdekjes”, vijon ajo.

Programi i celularit, i njohur si MIVA, paraqet një seri pyetjesh që një punëtor i përgatitur terreni përdor për të mbledhur informacione nga familja e të ndjerit.

Çdo pyetje ka një seri përgjigjesh të mundshme dhe programi inteligjent nxjerr pyetjen e ardhshme në bazë të përgjigjes së të parës.

Më e rëndësishmja është se programi është në gjendje të zbardhë me shpejtësi shkaqet më të mundshme të vdekjes.

Rezultati regjistrohet në telefon dhe mund të dërgohet në një qendër të dhënash, si përmes një SMS-je ashtu edhe përmes një ngarkimi në internet.

Top Channel