“Xhihadi seksual”, forma e re e luftës së radikalëve

20/09/2013 00:00

Nga Tunizia mbërrin konfirmimi i lajmit të një fronti të ri lufte të hapur nga radikalët islamikë, ai që quhet “xhihadi seksual”.

Përflitet se autor i kësaj doktrine është imami ultra-konservator tunizian, Al-Arifi i cili nga ana e tij thotë se nuk ka nxjerrë kurrë një fatva në lidhje me argumentin. Ajo që është e sigurtë është se në shumë faqe islamike qarkullon një dokument për “formën e re të luftës”, dokument që duket se ka bindur disa prej vajzave konservatore islame ta pranojnë atë.

Vetëm në Tunizi qindra prej tyre pranojnë se kanë mbetur shtatzënë pas udhëtimit në Siri ku kanë patur marrëdhënie seksuale me luftëtarët e Al Nusras, grup rebel radikal i lidhur me Al Kaedan që lufton regjimin e presidentit Bashar al Assad.

Vajzat që pranojnë “xhihadin seksual” pranojnë të qendrojnë të martuara për pak orë me bashkëshortin e tyre, të mjaftueshëm për kryerjen e aktit seksual dhe më pas ndahen.

Por praktika është kundërshtuar fort nga Ministri i Brendshëm tunizian, Lotfi Bin Jeddo. Gjatë fjalës së tij para parlamentit vendas ai tha se kjo nuk mund të tolerohet. “Ato femra që udhëtojnë drejt Sirisë kryejnë raporte me 20, 30 apo 100 meshkuj. Ky s’është xhihad, është prostitucion”, tha ai.

Ministri njoftoi marrjen e masave duke shtrënguar vizat drejt Sirisë, ndërsa disa deputetë kërkuan bllokimin e gjithë udhëtimeve drejt vendit të trazuar.

Praktika është kundërshtuar edhe nga pjesa dërrmuese e klerikëve tunizianë të cilët gjithashtu e quajtën prostitucion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB