“Obamacare” drejt dështimit

20/09/2013 00:00

Ligjvënësit amerikanë kanë miratuar një projekt/buxhet që do t’i lejojë qeverisë vazhdimin e operacioneve, ndërkohë që nuk do të financojë reformën shëndetësore të presidentit Barakc Obama.

Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga republikanët, votoi 230-189 në favor të masës kontroverse. Ndërsa Senati i kontrolluar nga demokratët ka premtuar se do të zhbëjë atë pjesë të projektbuxhetit për reformën shëndetësore javën e ardhshme.

Presidenti Obama paralajmëroi se do të vendosë veton nëse gjërat do të shkojnë kështu më tej. Qeveria amerikane rrezikon të përballet me një “shuarje” më 1 tetor, në rast se Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë nuk bien dakord për një masë të përkohshme buxhetore.

Projekti i mbështetur nga republikanët propozon financimin e agjencive federale me një kuotë vjetore që shkon mbi 986 miliardë dollarë, por që përfshin gjithashtu masën që heq fondet federale për “Affordable Care Act”.

I njohur gjithashtu si Obamacare, ligji i vitit 2010 kërkon që bizneset me mbi 50 punëtorë t’u japin sigurim shëndetësor të gjithë stafit që punon me kohë të plotë, ose do të paguajnë një seri gjobash.

Lideri i shumicës në Dhomë, Eric Cantor ka bërë thirrje për t’i dhënë fund ligjit pasi sipas tij “po e kthenë gjithë ekonominë me kohë të plotë në një ekonomi me kohë të pjesshme”.

Ditën e premte, lideri i shumicës në Senat, Harry Reid deklaroi se republikanët vetëm sa po shtyjnë për disa ditë një zgjedhje të pashmangshme mes miratimit të një projektligji të mangët apo të çojnë shuarjen e qeverisë.

“Reforma shëndetësore ka qenë në diskutim për tre vjet. Senati nuk do të kalojë asnjë ligj që i heq fondet apo shtyn Obamacare”, tha Reid.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB