Meksikë, 97 viktima nga stuhia
20/09/2013 00:00
Autoritetet meksikane kanë njoftuar se numri i viktimave nga stuhia e fuqishme që goditi vendin në fillim të javës ka shkuar në 97.
Në fshatin La Pintada, afër bregut të Paqësorit, 15 trupa janë gjetur të vdekur dhe 70 të tjerë janë zhdukur nga rrëshqitja e dheut duke rritur bilancin tragjik.
Stuhia tropikale me emrin Manuel, që të martën u shndërrua në uragan, ka lëvizur drejt veriut, duke detyruar qindra persona të largohen nga banesat e tyre në Sinaloa.
Më shumë se 100 000 njerëz janë prekur nga stuhia Manuel, ka thënë guvernatori Mario Lopez Valdez. Stuhia ka humbur forcë dhe pritet të zhduket plotësisht në fundjavë.
Acapulco dhe rrethinat pranë tij kanë qenë më të prekurit nga Manueli.
Top Channel