Bashkimi Europian vendosi të dërgojë një mision të posaçëm për të vëzhguar zgjedhjet lokale në Kosovë.

Vendimi u publikua nga zyra e Përfaqësueses së Lartë, Catherine Ashton, e cila argumenton në një komunikatë për shtyp se një veprim i tillë ndërmerret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Misioni i vëzhgimit të BE-së synon të mbështesë Kosovën në mbajtjen e një procesi elektoral të drejtë dhe gjithëpërfshirës, meqënëse zgjedhjet lokale të 3 Nëntorit janë një element thelbësor i marrveshjes së 19 Prillit”, thotë Ashton.

Shefja e diplomacisë evropiane thekson se, vendimi për të dërguar një mision të tillë vjen si rezultat i një kërkimi që konfirmon se vëzhguesit e BE-së do të mirëpriten nga të gjitha palët e përfshira.

Më tej Ashton shprehet e bindur se kreu i delegacionit, eurodeputeti i majtë italian, Roberto Gualtieri, do të përmbushë qëllimin e këtij misioni në Kosovë.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel