Andrea Stefani – Kush tha që me rënien e komunizmit qeveritë në Shqipëri
nuk mund të vrasin më njerëz kur ua u do puna? Edhe në demokraci
qeveria vret, por ama “nga pakujdesia”! Dhe të vrasësh nga “pakujdesia”
nuk është njësoj si vrasja e qëllimtë.
Viktima ikën gjithashtu në botën tjetër, por vrasësi nuk është aq vrasës. Kjo u provua edhe së fundi, ndërsa Gjykata e Apelit dha dënime qesharake për dy nga gardistët që, sipas fakteve, është provuar se kanë vrarë protestues paqësorë më 21 janar. Vërtet kanë vrarë, por ama nga pakujdesia. Vendimi është një precedent i rrezikshëm që bie ndesh edhe me Kushtetutën e Republikës, sipas së cilës jeta e personit mbrohet me ligj. Por ç’mbrojtje zeza është kjo kur për vrasjen e personit dënohesh me një vit burg?! Një vit burg për një jetë?! Ky nuk është dekurajim, por inkurajim për të vrarë! Si precedent, vendimi i Gjykatës së Apelit për 21 janarin, është një kërcënim i hapur për jetën e çdo qytetari! Edhe sepse mosdhënia e ndëshkimit për një krim përbën në vetvete një krim.
***
Gjithë sa po ndodh është rrjedhojë negative e kapjes së gjyqësorit nga qeveria e sapolarguar. Një kapje malinje që nuk mbaron me mbarimin e qeverisë, ashta si kanceri nuk merr fund me heqjen e disa metastazave. Ndaj nuk mund të mos shquash në vendimin shpërblyes të gjykatës për vrasësit, gjurmët e gishtërinjve të kapjes së vjetër. Gjykatës që kanë dhënë vendime ekstreme kundër mediave të djeshme opozitare, sepse kështu donte qeveria e Berishës, japin dënime minimale për vrasës që mbrohen nga opozita dhe klani i Berishës! Korrelacioni nuk është aspak i rastit, por simptomë ulëritëse e degradimit të drejtësisë dhe e disa gjykatësve. Me të tillë gjykatës, mund të thuhet me plot gojën, se lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk mund të bëjë as edhe një centimetër përpara.
***
Kodi Penal i Republikës ndëshkon vrasjen nga pakujdesia me gjobë ose deri 5 vjet burg. Do kishte qenë më e ndershme që gjykatësit robotë të ish-qeverisë që aktualisht fajësohet për vrasje nga shumica e qytetarëve shqiptarë, të kishin dhënë një dënim me gjobë. Sepse edhe ndëshkimi më i rëndë i gardistëve nuk do ta kishte zgjidhur çështjen, nuk do kishte ndëshkuar vrasësit e vërtetë. Me dashje apo pa dashje, gardistët në fjalë ishin në rolin e pistoletës, por dora e padukshme që e mbajti atë, ishte lart në qeveri. Vrasjet dhe plagosjet e 21 janarit nuk janë fare vrasje nga pakujdesia, por vrasje politike të frymëzuara nga një kryeministër dhe qeveri që kujdeseshin vetëm për të mbajtur me çdo kusht pushtetin madje, edhe duke derdhur gjak protestuesish të pafajshëm. Ato nuk janë vrasje të pakujdesshme, por vrasje të kujdesshme.
***
Më 21 janar u hodhën plumba mbi protestën pra, mbi demokracinë! Shqipëria është rasti i vetëm kur zyrtarë të lartë të shtetit si kryeministri, apo ministri i Rendit të ndodhur në vendin e krimit, lihen jashtë hetimit dhe gjykimit. Shqipëria është i vetmi rast kur një kryeministër për të justifikuar përdorimin e armëve dhe vrasjet nga Garda e tij, akuzon opozitën për grusht shteti, për vrasje të protestueseve me armë që vetëm ai i ka parë, dhe kur këto akuza rezultojnë shpifje, ai nuk merret nën hetim qoftë edhe për të zbuluar pse gënjeu. Vetëm në Shqipëri ndodh që kryeministri t’i turret kryeprokurores për të paralizuar hetimin për vrasjet tragjike, duke e akuzuar për pjesëmarrje në puç dhe kur kjo akuzë nuk faktohet (edhe pse e hetuar nga një komision parlamentar kukull), të mos i hyjë gjemb në këmbë madje, të kërkojë edhe një mandat të ri qeverisës! Vetëm në Shqipëri ndodh që kryeministri të pengojë ndalimin e gardistëve nga prokuroria (me pretekste qesharake për gjoja mbrojtjen e qeverisë), duke obstruktuar hetimin e masakrës para Kryeministrisë dhe qytetari kryeministër të mos hetohet fare për këtë dhunim të hapur të ligjit për “arsye shtetërore” që vetëm ai i di. Më 21 janar u vranë qytetarë të pafajshëm nga një qeveri që e shpallte veten demokratike, por që vrau si qeveria e Enver Hoxhës, si ajo e Asadit, Huseinit, Ben Aliut dhe e gjithë diktatorëve të tjerë. Çështja shtrohet objektivisht kështu: Më 21 janar ose ka pasur një grusht shteti të armatosur dhe të vrarët pjesëmarrës në këtë krim duhet të vriteshin në emër të mbrojtjes së institucioneve, ose grusht shteti nuk ka pasur dhe të vrarët janë viktima të një skenari të përgjakshëm, për të cilin nuk mund të mos jenë përgjegjës titullarët e qeverisë, Kryeministri Berisha dhe ministri i Brendshëm i asaj kohe, Lulzim Basha. Qeveria e re, hetuesit dhe gjykatësit e ndershëm, ua kanë borxh shqiptarëve zgjidhjen e këtij rebusi dhe vendosjen e drejtësisë. Ndryshe demokracia shqiptare nuk do të shërohet kurrë, por do të vdesë bashkë me ata që u vranë më 21 janar prej qeverisë, vetëm sepse kërkuan drejtësi! Do të vdesë e vrarë nga pakujdesia jonë ndaj drejtësisë.
Top Channel