Vendimi i FeD, fluturojnë bursat

19/09/2013 00:00

“Federal Reserve” vendosi të mbajë në të njëjtat nivele programet stimuluese për ekonominë duke rrëzuar spekulimet që qarkullonin së fundmi për një tërheqje të saj.

Bordi vendosi që të mos preken masat e vendosura muaj më parë si kundërpërgjigjje ndaj krizës financiare globale. Bursat reaguan menjëherë pozitivisht ndaj këtij vendimi. Në të tre indekset amerikane aksionet u rritën në nivele rekord.

Prej kohësh qarkullonin zërat se banka qendrore amerikane do të shkurtonte programin e saj të blerjes së 85 miliard dollarëve bono cdo muaj për të ndihmuar rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane.

Në deklaratën e lëshuar pas vendimit, bordi i “Federal Reserve” thotë se papunësia mbetet ende shqetësuese.

“Bordi vendosi që të presë për të tjera shenja të progresit ekonomik para se të mbyllë programin stimulues”, thuhet në deklaratë.

Kreu i “Federal Reserve” Ben Bernanke nuk foli për ndonjë datë se kur do të ndërpriten politikat stimuluese për ekonominë. Ai tha se nuk ka një datë fikse dhe se do të vazhdohet me to për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Vendimi mbërrin pak ditë pas rishikimit të rritjes së ekonomisë amerikane për 2013. Parashikimet u ulën në 2-2.3 përqind, ndryshe nga muaji korrik ku parashikohej rritje ekonomike 2.3-2.6 përqind.

Top Channel