Siria, Putin: Optimist për planin

19/09/2013 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin shprehet “besimplotë” se armët kimike të Sirisë mund të shkatërrohen në kuadër të planit ruso-amerikan, por nuk është 100 për qind i sigurt.

Duke folur për gazetarët pas një mbledhjeje në rajonin e Novogordit, Putin përsëriti këndvështrimin e Moskës se sulmi me armë kimike i muajit të kaluar në përiferitë e Damaskut u krye nga rebelët.

Putin theksoi gjithashtu se Siria tashmë i ka bërë hapat e duhur për t’iu bashkuar Konventës ndërkombëtare të Armëve Kimike.

“Bëhet fjalë për hapa praktikë që qeveria siriane tashmë i ka hedhur. Nëse ne do të arrijmë të shohim realizimin e plotë të marrëveshjes, këtë nuk mund ta them me 100 për qind siguri. Por çdo gjë që ne kemi parë deri tani, në ditët e fundit, të jep besimin se kjo është e mundur dhe do të bëhet”, deklaroi Putin.

Presidenti rus insistoi më tej se nuk është provuar që qeveria siriane ishte prapa sulmeve me armë kimike të 21 gushtit, që vranë disa qindra persona, mes të cilëve gra e fëmijë.

Presidenti sirian Bashar al Assad ka deklaruar ndërkohë se Sirisë mund t’i duhet një vit për të asgjesuar rezervat e saj të lëndëve kimike.

Plani i çarmatimit u arrit mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë fundjavën e kaluar. Perëndimi kërkon që marrëveshja të shoqërohet me një rezolutë të OKB-së të mbështetur nga kërcënimi për ndërhyrje ushtarake, por Rusia, një aleate e Sirisë, kundërshton.

Top Channel