PDSH: Dëmshpërblim për kosovarët

19/09/2013 00:00

Qeveria e Maqedonisë duhet t’u paguajë dëmshpërblim qytetarëve të Kosovës për aplikimin e taksave hyrëse dhe për bllokimin e pikës kufitare të Bllacës për rreth një javë.

Kështu është shprehur deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu, i cili tha se bllokimi i kufirit, që nuk ka ndodhur as në kohën e Millosheviçit, ishte veprim joligjor.

“Ata kamionë ishin të qeverisë, pse nuk i largoi kamionët qeveria? E dini se është mënyrë joligjore të bllokohet pika kufitare? Përpos që duhet të kërkoni falje, ju duhet edhe t’u paguani dëmshpërblim atyre qytetarëve kosovarë për haraçin që iu keni marrë. Partnerit kryesor strategjik për ekonomi nuk i bllokohet kufiri, në veçanti atij që ka sufiçit tregtar”, deklaroi Fazliu.

Nga foltorja e Kuvendit, Fazliu ftoi ministrin e Ekonomisë, Valon Saraçinin që t’i tregojë arsyet e vërteta për bllokadën në kufi, por në mungesë të ministrit në seancën kuvendore u përgjigj shkurt zëvendësi i tij, i cili tha se kufiri nuk është bllokuar me vendim të qeverisë.

“Dua të thëm se në asnjë rast në këtë proçedurë nga ana e Maqedonisë nuk është bllokuar kufiri. Dmth, Maqedonia nuk ka sjellë vendim për bllokimin e kufirit”, deklaroi Hristijan Delev.

“Në fund ngel vetëm një arsye për mbylljen e këtij kufiri, hajnia dhe urrejtja patologjike ndaj shqiptarëve që ka kjo qeveri. Kjo është arsyeja e vërtetë e mbylljes së kufirit me Kosovën. Fatkeqësisht në këtë hajni dhe urrejtje janë edhe këta të BDI-së”, u përgjigj sërish Fazliu.

Sipas deputetit të PDSH-së, mbyllja e kufirit me Kosovën në aspektin politik është aventurë e rrezikshme, ndërsa në atë ekonomik i shkakton humbje të mëdha Maqedonisë.

Top Channel