Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për rritjen e akcizës së duhanit. Këtë vit nga 27 euro një njësi do të bëhet 30 euro, ndërsa në 2014 nga 30 euro në 32 euro.

Në mbedhjen e rregullt kabineti qeveritar ka miratuar edhe Bordin e KEK-ut, kryetar i të cilit do të jetë Berat Rukiçi, ndërkohë që pjesëtare është caktuar edhe Pranvera Dobruna.

Gjatë mbledhjes shefi i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi ka folur edhe për pjesëmarrjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit. Ai tha se në mbledhjen e ardhshme të OKB-së do të prezantohen arritjet e vendit e në veçanti procesi i njohjeve të shtetit të Kosovës.

“Delegacioni, gjatë qëndrimit në Nju Jork, do të zhvillojë takime me delegacionet e vendeve të ndryshme, do të zhvillojë aktivitete lobimi dhe do të prezantojë arritjet e Kosovës në ndërtimin e shtetit dhe të drejtave për të gjithë qytetarët e vet”, deklaroi Thaçi.

Qeveria e Kosovës ka themeluar Këshillin Ndërministror për Ujërat, si trup koordinues dhe vendimmarrës që shqyrton çështjet sistemore të administrimit të ujërave, harmonizimin e nevojave dhe interesave të ndryshme, si dhe propozon masat për zhvillimin, shfrytëzimin dhe mbrojtjen e resurseve dhe sistemit ujor të Kosovës.

Top Channel