Trump njofton armëpushim 2-javor me Iranin: Kemi marrë një propozim me 10 pika nga Teherani, besoj se…
Forcat egjiptjane të sigurisë janë përfshirë në një shkëmbim të ashpër zjarri në qytetin Kerdasa, pranë Kajros, ku kishin ndërmarrë një operacion kundër atyre që i konsiderojnë vatra kriminaliteti dhe terrorizmi.
Sipas televizionit shtetëror, gati 30 të dyshuar si militantë kanë përfunduar në pranga. Por, vetëm pak orë nga nisja e ofensivës, forcat qeveritare kanë ndeshur rezistencë dhe janë detyruar të mbrohen nga breshëritë e armëve.
Të paktën 11 agjentë u vranë në një komisariat policie të Kerdasës muajin e kaluar. Trupat ushtarake u dërguan atje në orët e para të mëngjesit, të mbështetur edhe nga helikopterë. Në përplasjet me militantët mësohet të ketë humbur jetën një zyrtar i lartë i policisë.
Persona të armatosur e të paidentifikuar, sipas BBC, kanë zënë pozicion në disa ndërtesa të qytetit, që njihet si fortesë e mbështetësve të Vllazërisë Myslimane të presidentit të përmbysur Mohamed Morsi.
Gjenerali Nabel Farrag mbeti i vrarë kur personat e armatosur hapën zjarr nga tarracat e shkollave dhe xhamive që kishin marrë nën kontroll, njoftoi Ministria e Brendshme.
Pas mesditës, të shtënat janë reduktuar, por në rrugët e qytetit ka ende një prani të theksuar policie dhe postoblloqe ushtarake. Të paktën 1 mijë persona, përfshirë rreth 100 oficerë policie, kanë humbur jetën në protestat që pasuan rrëzimin e presidentit Morsi nga pushteti.
Ngjarjet më të rënda u verifikuan kur forcat e sigurisë ndërhynë për të shpërndarë protestuesit pro-Morsit muajin e kaluar në disa kampe të ngritura në qytetin e Kajros.
Top Channel