Australi, kryeministri i ri merr detyrën

19/09/2013 00:00

Me të bërë betimin, kryeministri i ri i Australisë, Tony Abbott, ligjvënësi që i dha fund qeverisjes 6-vjeçare të partisë laburiste, ka nisur menjëherë nga puna duke u fokusuar tek ato që i ka shpalosur si përparësitë e tij.

Axhendën e Abbott e kryeson anulimi i  taksës së karbonit, një ndëshkim ndaj ndotësve më të mëdhenj të Australisë.

55-vjeçari, i cili ka vënë në pikëpyetje ndikimin e njerëzve tek ndryshimet klimatike botërore, si alternativë, preferon që t’i paguajë kompanitë për të rritur efikasitetin e energjisë që konsumojnë.

Kreu i ekzekutivit të ri deklaroi po ashtu se marina australiane do të fillojë pa humbur kohë t’i kthejë mbrapsht varkat me klandestinë, sipas një plani të ri mbi pakësimin e numrit të emigrantëve që hyjnë në vend.

“Është me rëndësi që t’u dërgojmë një mesazh trafikantëve të qënieve njerëzore se nga dita e sotme metodave të tyre të fitimit u ka ardhur fundi”, deklaroi Abbot.

Indonezia është vendi që ka ngritur shqetësime për politikat anti-emigracion dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë kritikuar praktikat e qeverisë së mëparshme dhe ato të paralajmëruara nga ajo e sapoardhur.

Por zoti Abbott theksoi se do të ndjekë politikën e laburistëve për t’i dërguar të gjithë azilkërkuesit e ardhur me varkë në Papua Guinea e Re për proces dhe vendosje nëse konstatohet se janë refugjatë.

Ata që mendohet të jenë refugjatë do të marrin një vizë të përkohshme mbrojtjeje, e cila do të rinovohet rregullisht, parashikon politika e qeverisë australiane.

Top Channel