Meksikë, dëme të medha nga uraganet

18/09/2013 00:00

Përmbytjet masive, pasojë e stuhisë tropikale “Manuel”, kanë detyruar evakuimin nga ajri të më shumë se 2.000 turistëve në Akapulko të Meksikës.

Por shumë vizitorë të tjerë dhe banorë vendas kanë mbetur të bllokuar në të gjithë bregun perëndimor, ku rrëshqitjet e dheut i kanë bërë rrugët të pakalueshme.

Menjëherë pas kalimit të “Manuel”, vendin e goditi uragani “Ingrid”, i cili solli kaos e shkatërrim në të gjithë zonat lindore.

Kjo ishte hera e parë që prej 1958-s që në Meksikë kalonin njëra pas tjetrës brenda 24 orësh dy stuhi të fuqishme. Deri tani, nga vërshimi i ujërave e rrëshqitjet e tokës kanë humbur jetën 57 vetë.

Përpjekjet për evakuimin e meksikanëve dhe të huajve në Akapulko vazhdojnë, e në to është angazhuar edhe ushtria. Dërgimi i ndihmave në ushqime dhe ilaçe nuk mund të bëhet përveçse me helikopterë. Besohet se numri i turistëve të izoluar është rreth 40.000.

Shpresat janë varur tek ndonjë përmirësim i motit, i cili t’u japë punonjësve të ndërhyrjes së shpejtë mundësinë që të rigrupohen e të veprojnë më lirisht, por për momentin nuk ka asnjë qetësim të reshjeve të shiut apo erërave të fuqishme në rajon.

Top Channel