Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dekretoi ligjin e debatuar më së shumti këtë vit, atë për amnistinë. Nga një njoftim i zyrës së presidentes bëhet e qartë se kryetarja e shtetit e shpall të dekrteruar ligjin me numër 04/L-209 për Amnistinë.

I miratuar nga Kuvendi i Kosovës më datë 11 korrik 2013, ligji në fjalë ishte pranuar në Zyrën e Presidentes më datë 12 shtator 2013. Sipas njoftimit, dekretimi është bërë duke u bazuar në nenin 80, pika 2 dhe në nenin 84, pika 5 të Kushtetutës.

Për të kundërshtuar ligjin për amnisti shoqëria civile kishte organizuar protesta në Prishtinë, ku mes të tjerash ishin mbledhur edhe 12 mijë firma të qytetarëve të cilët kundërshtuan ligjin në fjalë.

Ligji për amnistinë ishte rezultat i marrëveshjes 15-pikëshe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u arrit më 19 prill në Bruksel.

“Sot e kemi dorëzuar në Kuvend. Tani Kuvendi e dërgon në Gazetë Zyrtare për botim. Proçeduralisht e kemi dorëzuar sot, por mbrëmë e nënshkroi presidentja”, citohet të ketë thënë Selim Selimi, këshilltar ligjor i presidentes Jahjaga.

Beogradi zyrtar kishte kushtëzuar zbatimin në praktikë të marrëveshjes që nënkuptonte shpërbërjen e strukturave paralele dhe inkuadrimin e tyre në insitucionet vendase. Ky kusht kishte të bënte në radhë të parë me amnistimin e të gjithë serbëve të veriut për të kaluarën e tyre.

Ligji u miratua me proçedurë të shpejtuar më 11 korrik, pas disa modifikimeve në të, meqë përveç serbëve të veriut, edhe shqiptarët në jug faleshin për një kategori veprash të së kaluarës.

Deputetët e lëvizjes Vetëvendosje, përveç kontestimit çështjen e ligjit për amnistinë e çuan edhe në Gjykatën Kushtetuese. Pas analizimit të kërkesës, gjykata i dha dritën jeshile ligjit duke kërkuar modifikimin e neneve që u konsideruan si jokushtetuese dhe e ktheu prapa.

Top Channel