Irani liron të burgosurit politikë

18/09/2013 21:50

Irani liroi të mërkurën të paktën 11 të burgosur politikë, përfshi avokaten mbrojëse të të drejtave të njeriut, Nasrin Sotoudeh, informoi “BBC”.

Midis tetë grave dhe tre burrave të liruar përfshihet edhe politikani reformist Mohsen Aminzadeh.

Sotoudeh u arrestua në vitin 2010 dhe u dënua me gjashtë vite heqje lirie, për veprimet në kundërshtim me interesin kombëtar.

Lirimi i të burgosurve politikë ndodh një ditë përpara se Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, të vizitojë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Lirimi i të burgosurve politikë ishte një prej premtimeve të ndërmarra prej presidentit në fushatën e tij elektorale.

Sotoudeh, fituese në vitin 2012 e çmimit “Sakharov” për Lirinë e Mendimit, akorduar nga Bashkimi Europian, është një prej avokateve më të njohura të të drejtave të njeriut, e respektuar për trajtimin e disa rasteve të njohura të çështjeve politike.

Lirimi i të burgosurve politikë interpretohet si një shenjë e rëndësishme, e një linje më liberale që është duke ndjekur Teherani nën drejtimin e presidentit të ri, Hassan Rouhani.

Top Channel