Austri, vdes gjuetari që vrau 4 persona

18/09/2013 00:00

Policia austriake ka gjetur të pajetë trupin e personit i cili mendohet se ka vrarë tre agjentë policie dhe një punonjës të ndihmës së shpejtë. Drama nisi ditën e hënë, kur 55-vjeçari Alois Huber po bënte gjueti të paligjshme në afërsi të Annabergut.

Policia u mundua të ndalonte makinën e tij, por burri iu përgjigj me hapje zjarri duke plagosur një agjent, i cili vdiq më pas në spital. Një punonjës i ndihmës së shpejtë u vra gjatë kohës që po mundohej të ndihmonte policin e plagosur, ndërsa një tjetër agjent u plagos në proces.

Burri i armatosur braktisi makinën dhe u largua në këmbë pasi vrau edhe një tjetër polic dhe një të tretë e mori peng. Gjithashtu grabiti një makinë policie dhe u drejtua drejt shtëpisë së tij, rreth 90 km në perëndim të Vjenës.

Trupi i pajetë i policit të tretë u gjet në shtëpinë e gjuetarit, aty ku u mobilizuan rreth 100 forca policie për të kapur 55-vjeçarin. Sipas mediave austriake, pasi kanë hyrë në shtëpi, policët kanë gjetur trupin e Alois Huber të djegur.

Mendohet se ai ka djegur veten, por ende nuk është konfirmuar diçka e tillë.

Top Channel