21 janari, Apeli: Vrasje nga pakujdesia

18/09/2013 00:00

Akuza e vrasjes me dashje ndaj ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendit dhe vartësit të tij Agim Llupo u rrëzua edhe nga Gjykata e Apelit si e pabazuar në prova, ndërkohë që të dy ata u gjetën fajtorë për akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Përkatësisht për vrasjen nga pakujdesia të demonstruesit Faik Myrtaj ish-koamndanti Prendi u dënua me një vit heqje lirie.

Ndërkohë që për vrasjen nga pakujdesia të demonstruesit Ziver Veizi fajtor u konsiderua edhe ish-gardisti Llupo dhe për këtë u dënua me tre vjet burgim.

Për demonstruesin tjetër Hekuran Deda, vrasja e të cilit i adresohej gardistit Llupo, Gjykata e Apelit nuk jep fajësi me argumentin se është provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm lidhja shkaksore e drejtpërdrejtë në rastin e viktimave Veizi dhe Myrtaj, por jo ajo në rastin e Dedës dhe të plagosurve të tjerë.

Apeli thotë se nuk është gjetur predha që vrau Hekuran Dedën dhe që plagosi 7 shtetas të tjerë, çka do të përcaktonte se cila armë i qëlloi ata.

Vrasja nga pakujdesia nuk ka qenë asnjëherë gjatë gjykimit në shkallën e parë, por edhe gjatë hetimit një pistë e trajtuar nga Prokuroria e Tiranës për demonstratën e 21 janarit.

Gjykata la në fuqi vendimin e shkallës së parë për pafajësinë e ish-shoferit të Prendit, Margarit Kume, si dhe detaje të tjera të vendimit që kanë lidhje me Llupon dhe Prendin për pafajësinë e tyre mbi plagosjen e gjashtë demonstruesve të tjerë, mes të cilëve edhe gazetarit Fatos Mahmutaj.

Në përfundim të procesit avokatët mbrojtës deklaruan se do t’i drejtohen Gjykatës së Lartë. “Sigurisht që ne do ndjekim hapat e ankimit. Do të jetë gjykata supreme që do të thotë fjalën e fundit. Vendimi ka një dispozitiv të përcaktuar, por ky nuk është thelbi i problemit. Problemi është se vendimi është i pabazuar”, deklaroi avokati Genci Gjokutaj.

“Do presim sa Gjykata e Apelit të zbardhë vendimin e saj dhe pastaj do të ndërmarrim hapat e duhur”, tha avokati tjetër Besnik Çerekja.

Megjithatë, me zbardhjen e vendimit, syte nga Gjykata e Lartë pritet t’i ketë edhe Prokuroria e Përgjithshme për kundërshtimin e këtij vendimi.

Nga llogaritë paraprake, referuar dy dënimeve të dhëna nga Gjykata e Apelit, ka mundësi që asnjë nga dy ish-gardistet të kthehet në burg, pasi Ndrea Prendi ka qenë me arrest shtëpiak dhe kjo kohë përkon me dënimin prej një viti. Ndërsa Agim Llupo ka qenë në paraburgim për dy vjet, çka përkthet në shlyerjen e këtij dënimi.

Top Channel