SHBA, një i sëmurë mendor pas masakrës

17/09/2013 00:00

Autoritetet amerikane kanë mundur të identifikojnë njërin nga tre autorët e masakrës që vrau 12 persona në një bazë të marinës në Uashingtonit, si një person me probleme mendore në të shkuarën e tij.

Nga hetimet e FBI-së, që ka marrë në mbikqyrje gjithë skenën e krimit, është arritur në identifikimin e personit që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.

Ai është Aaron Alexis, 34 vjeç nga Forth Worth i Teksasit. Fillimisht u përfol se bëhej fjalë për një ish-ushtarak, ndërsa më vonë marina amerikane konfirmoi zërat se 34-vjeçari është një ish-pjesëtar i saj.

E përditshmet amerikane, arritën të vërtetonin se në të shkuarën, Alexis kishte marrë trajtim për dëgjim zërash dhe për skifofreni në qëndrat e shëndetit psikik.

Është ende e paqartë se si ai ishte pranuar më pas në marinë, duke fituar grada dhe u bërë një kontraktor i saj.

Sipas “US Navy”, Aaron Alexis ka shërbyer si marinar me gradën oficer i klasit të tretë me kohë të plotë nga viti 2007 deri në vitin 2011.

Por, pavarësisht se është mbërritur në këto të dhëna mbeten ende mister motivet e masakrës. Autoritetet janë duke hetuar largimin e 34-vjeçarit nga marina dy vjet më parë, ndërkohë që vazhdon operacioni i gjërë për kapjen e dy të dyshuarve të tjerë që lëvizin të armatosur.

12 persona humbën jetën nga të shtënat që nisën në orën 08:20 të paradites së të hënë me orën lokale, ndërsa dhjetra të tjerë rezultojnë të plagosur.

Presidenti Obama urdhëroi uljen e flamujve në gjysmë shtyzë në Shtëpinë e Bardhë dhe Capitol Hill dhe dënoi atë që ai e quajti “sulm frikacakësh”.

Top Channel