Meksikë, 40 të vdekur nga uraganet

17/09/2013 00:00

Të paktën 40 persona janë vrarë në Meksikë nga dy stuhitë e fuqishme që janë përplasur në vend në të njëjtën kohë, njëra në bregun lindor ndërsa tjetra në atë perëndimor.

Uragani “Ingrid” detyroi mijëra banorë të strehoheshin në Gjirin Lindor të Meksikës para se të reduktohej në një stuhi tropikale, pak para se të zbarkonte.

Shirat e rrëmbyeshme u shkaktuan prej saj teksa lëvizte në drejtimin perëndim-veriperëndim përmes shtetit të Tamaulipas, me shpejtësi 13 kilometra në orë.

Edhe në brigjet e Paqësorit, stuhija tropikale “Manuel” shkaktoi gjithashtu dëme masive. Të paktën 22 persona u vranë në rajon, shumica e të cilëve në shtetin Gerrero. Ndërsa viktimat e tjera u regjistruan në Hidalgo, Puebla dhe Oaksaka.

Një rrëshqitje toke në qytetin Altotonga, në lindje të shtetit Verakruz, ka vrarë 12 persona, ndërkohë që skuadrat e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar.

Uragani “Ingrid” zbarkoi në afërsi të qytetit La Peska, në veri-lindje të shtetit të Tamaulipas, me erëra që vërshonin me 55 kilometra në orë.

Ai u dobësua që kur preku tokën dhe pritet të dobësohet edhe më tej gjatë së martës, por meteorologët e Qendrës Kombëtare të Uraganëve në Majemi paralajmëruan se stuhija mund të shkaktojë ende dëme.

Sipas ekspertëve, fenomeni natyror mund të shkaktojë shira që mund të arrijnë në 38 centimetra në zonat në lindje të Meksikës.

Rreth 6 mijë persona u evakuuan teksa uragani i afrohej brigjeve. Festimet për Ditën e Pavarësisë së Meksikës u anuluan në shumë qytete bregdetare.

Top Channel