Franca, presion Rusisë për Sirinë

17/09/2013 00:00

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius po viziton Moskën në përpjekje që të bindë Rusinë që të mbështesë një rezolutë për Sirinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ditën e hënë, inspektorët e armëve të Kombeve të Bashkuara deklaruan se gazin nervin sarin ishte përdorur ndaj civilëve në shkallë relativisht të gjerë, në një periferi të Damaskut muajin e kaluar.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon e cilësoi sulmin e 21 gushtit si një krim lufte dhe tani Franca po përpiqet të sigurojë mbështetje për një rezolutë që parashikon pasoja serioze.

Por Rusia, që është dhe aleatja më e fortë e Sirisë, deklaron se qeverisë së presidentit Bashar al Assad i duhet dhënë më parë mundësia që të heqë dorë nga armët kimike.

Zoti Fabius do të bisedojë me homologun rus Sergei Lavrov për të arritur një marrëveshje që arsenali sirian i armëve kimike të kalojë nën kontroll ndërkombëtar.

Në bazë të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia me SHBA në fundjavë, Siria do të heqë dorë nga armët kimike dhe do t’i shkatërrojë ato nga mesi i vitit 2014.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca deklarojnë se raporti i inspektorëve të OKB-së vërteton qëndrimet e tyre se për sulmin e 21 gushtit duhet fajësuar regjimi sirian.

Ambasadori amerikan dhe ai britanik në Kombët e Bashkuara deklaruan më herët se detaje teknike provuan se vetëm regjimi mund të kishte qenë përgjegjës për sulmet.

Por Rusia nga ana e saj insiston se përgjegjës ishin rebelët, të cilët sipas saj nuk duhet të ngrenë supet duke bërë sikur nuk dijnë gjë.

Top Channel