Përmirësimi i situatës së sigurisë në veriun e Kosovës është objektivi numër një për drejtorin serb të policisë në këtë rajon.

Nenad Gjuriç i emëruar drejtor i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut si rezultat i marrëveshjes së 19 prillit midis Kosovës dhe Serbisë, rrallëherë shfaqet para gazetarëve të Prishtinës. Por edhe kur kjo ndodh Gjuriç nuk përgjigjet në pyetjet e tyre, qoftë edhe nëse pyetja ka të bëjë nëse ai vet e njeh shtetin e Kosovës.

Gjuriç të hënën priti në zyrën e tij në veri Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni dhe shefin e Eulex-it, Bernard Borchard.

Kjo pasi Eulex-i në shenjë përkrahjeje për Policinë e Kosovës në veri dhuroi 22 makina, të cilat për nga modeli ndryshojnë nga automjete që përdor Policia e Kosovës.

“Ky është një mesazh i qartë politik, një mesazh që tregon se ne dëshirojmë të vazhdojmë mbështetjen tonë për Policinë e Kosovës dhe se ne dëshirojmë në vecanti të ndihmojmë funksionalizimin e drejtorisë policore në veri”, tha kreu i EULEX-it, Bernard Borchard.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni gjeti rastin që të urojë publikisht drejtorin e ri të rajonit të veriut për detyrën. Maxhuni falenderoi edhe Eulex-in për ndihmën e vazhdueshme që i jep Policisë së Kosovës.

Edhe deklarata e Drejtorit të Policisë për rajonin e veriut të Kosovës, Nenad Gjuriç ishte e fokusuar te donacioni i Eulex-it, por pa harruar situatën e sigurisë e cila në veri mbetet e brishtë. Gazetarët edhe në një rast si ky udhëtuan drejt veriut të përcjellë prej Policisë së Kosovës.

“Ne këto automjete do t’i përdorim me qëllim që të përmirësojmë sigurinë për të gjithë qytetarët në veri të Kosovës. Puna jonë do të fokusohet siç e thashë edhe më parë në përmirësimin e sigurisë dhe ky është një prioritet. Ne në të ardhmen do të mundohemi që të ofrojmë një mjedis të sigurtë për të gjithë dhe puna jonë do të përqendrohet në punën e policisë në bashkësi”, tha Gjuriç.

Sidoqoftë është  dukshme që drejtori të ri te policisë në veri i duhet ende edhe shumë punë për ta integruar këtë pjesë të Kosovës, qoftë edhe duke e ndryshuar emrin e policisë në veri e cila akoma mbanë mbishkrimin Shërbimi Policor i Kosovës, si në kohën e Unmik-ut. 

Top Channel