Një zjarr ka rënë në nëndetësen bërthamore ruse “K-150 Tomsk”, që ndodhej në një bazë mirëmbajtjeje në ekstremin lindor të Rusisë. Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale.
Një përfaqësues i kantierit detar Zvezda e ka përjashtuar mundësinë që zjarri të shkaktojë një shpërthim të nëndetëses dhe të përbëjë rrezik për banorët.
“K-150 Tomsk” ishte në riparim që prej vitit 2010 për probleme që lidhen me motorin e ftohjes së reaktorit të saj bërthamor.
Kantieri detar ndodhet rreth 25 kilometra nga Vladivostoku, qytet që shtrihet në detin e Japonisë, ka bërë të ditur ndërkohë agjencia “Itar-Tass”, që citon një zyrtar anonim të Flotës Ruse në Paqësor.
“Nuk ka asnjë rrezik për radioaktivitet. Armët janë hequr nga nëndetësja dhe situata është tërësisht nën kontroll”, ka deklaruar burimi, që ka shtuar se edhe ekuipazhi është evakUuar.
E ndërsa në vendin e ngjarjes vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve, dy anije anti-zjarr dhe një tjetër posaçërisht për kontrollin e radioaktivitetit janë parë të afrohen.
Nga agjencitë e lajmeve mësohet se zjarri ra gjatë disa punimeve saldimi. Në vitin 2011 një tjetër zjarr ra në një nëndetëse bërthamore në veri-perëndim të Rusisë, por pa shkaktuar lëndime në njerëz.
Top Channel