Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Britania do t’i kërkojnë Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të publikojë një rezolutë “të ashpër” ndaj Sirisë për përdorimin e armëve kimike, në të cilën të përfshihen masa të ashpra nëse këto sulme përsëriten sërish ose nëse Damasku nuk bashkëpunon për çarmatimin e tij nga këto armë.
Megjithatë, Rusia paralajmëroi se ky presion mund të dëmtojë ndjeshëm shanset për të arritur paqen nëpërmjet diplomacisë.
Nën një marrëveshje të negociuar nga Rusia dhe SHBA, qeveria e presidentit al-Assad duhet të publikojë brenda javës së ardhshme të dhëna të plota për arsenalin e armëve kimike në zotërim, armë të cilat do të dorëzohen tek komuniteti ndërkombëtar dhe do të shkatërrohen deri në mesin e 2014-s.
Megjithatë, Uashingtoni vazhdon të kërcënojë me një sulm ushtarak Damaskun, nëse termat e marrëveshjes nuk do të zbatohen.
Presidenti al-Assad mohon që trupat e ushtrisë së rregullt të jenë pas sulmit të 21 gushtit, në të cilin me qindra u vranë në një bombardim me armë kimike.
Aktualisht, hetues të OKB-së janë në Siri për të grumbulluar faktet në terren dhe në fjalën e tij paraprake, më parë gjatë javës, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon ka lënë të kuptojë se raporti përfundimtar do të fajësojë Damaskun për këtë sulm të ndërmarrë, duke fajësuar direkt al-Assadin për atë ngjarje.
Top Channel