Drejtori i inspektimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë u mor këtë të hënë në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për të zbardhur dyshimet se si janë mashtruar qytetarët nga disa subjekte tregetare gjatë shitjes së karburantit.

Seladin Xhidiaj, kreu i inspektimit dhe një ndër personat që ka hedhur firmën në raport-kontrollin ku u evidentuan shkelje të tilla nga 14 subjekte, deklaroi se është i hapur me prokurorinë për të dhënë informacionet e nevjoshme.

“Më thirrën për atë çështjen e bujshme në media. Ofrova bashkëpunimin tim dhe fola për raportin. Konstatohen shkelje jo në sasi, por në dokumentacion”, ka deklaruar Xhidaj pas marrjes në pyetje.

Në prokurori pritet të japin versionin e tyre shtatë inspektorë të tjerë të kësaj drejtorie, në një kohë që javën e kaluar është pyetur në zyrën e saj edhe drejtoresha e përgjithshme e Metrologjisë, Kozeta Mesiti.

Prokuroria dyshon paraprakisht se qytetarët gjatë blerjes së karburantit janë mashtruar në sasira të vogla, në një kohë që ka proçedimi penal është regjistruar për tre vepra penale: vjedhje, mashtrim dhe evazion fiskal.

Top Channel