
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli kanë përkujtuar 71-vjetorin e mbajtjes së Konferencës së Pezës. Vetë zoti Meta e vuri theksin tek simboli i këtij organizmi dhe mesazhi që duhet të kuptohet e të ndiqet sipas tij edhe sot.
“Pezë do të thotë bashkim, atdheu mbi të gjitha dhe kushtrimi që vjen edhe sot pas kaq dekadash nga Konferenca duhet të dëgjohet nga të gjithë dhe t’ia transmetojmë edhe brezave që vijnë, për bashkëpunim pa dallime në interes të kombit”, deklaroi Meta.
Kreu i Kuvendit e cilësoi një akt pozitiv vënien nëpër zyrat shtetërore të fotografisë së Ismail Qemalit në vend të asaj të presidentit Bujar Nishani. Sipas tij, edhe në këtë rast mesazhi duhet kuptuar siç eshte dhe jo siç mund të kërkojnë ta përcjellin të tjerër.
“Kjo nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje. Fakti që do të jetë një figurë themeluese e shtetit, siç është Ismail Qemali, absolutisht që është një mesazh bashkimi dhe të gjithë duhet të mbajnë të gjalla idealet e Konferencës së Pezës, partizanëve, komunistëve të asaj kohe, që kapërcyen dallimet në interes të atdheut dhe progresit shoqëror”, u shpreh Meta.
Top Channel