Kore J., tentitivë arratisje drejt Veriut

16/09/2013 15:45

Trupat koreanojugore qëlluan për vdekje një person që po përpiqej të kalonte ilegalisht kufirin për në Veri, informuan të hënën mediat ndërkombëtare.

Ushtarët hapën zjarr pasi i ndjeri kërceu në lumin Imjin, i cili ndan dy Koretë që formalisht janë ende në gjendje lufte dhe injoroi thirrjet e përsëritura për të ndaluar.

Autoritetet arritën të sigurojnë trupin e viktimës, por ende nuk njihet identiteti i tij.

Në Korenë e Jugut ka disa mijëra të arratisur veriorë, por është e padëgjuar që dikush prej tyre të përpiqet të rikthehet në vendlindje, edhe sepse për “dezertorët” rezervohet dënimi me vdekje nëse rikthehen.

Gjithashtu unikale është edhe tentativa e dikujt për të kaluar në kufirin më të militarizuar të botës në dritë të diellit.

Incidenti vjen në prag të rihapjes së qendrës industriale të Kaesgongut, një kompleks i përbashkët midis dy Koreve, që konsiderohet si thelbësor në ekonominë e dy shteteve.

Kaesongu qëndronte i mbyllur që prej muajit prill, për shkak të një serie incidentesh që degraduan marrëdhëniet deri në atë pikë, sa që regjimi diktatorial i Veriut kërcënoi fqinjët dhe aleatët e tyre amerikanë me luftë bërthamore.

Top Channel