Egjipt, ushtria sulmon qytetin e Dalgës

16/09/2013 16:30

Trupat e ushtrisë egjiptiane sulmuan qytetin e Dalgës, i cili mbahej prej islamistëve besnikë të presidentit të rrëzuar Morsi që prej disa ditësh.

Tanke dhe trupa policie të mbështetura nga ajri me helikopterë ushtarakë hynë në qytet mëngjesin e së hënës.

Të krishterët, një minorancë e rëndësishme e 120 mijë banorëve të qytetit të ndodhur në Egjiptin qëndror kishte apeluar për ndihmë, duke thënë se nuk lejoheshin të zbatonin ritet e tyre fetare dhe se u ishin vendosur taksa shtesë nga zotëruesit e armatosur të qytetit.

Aktualisht, ushtria egjiptiane është duke u përpjekur që të vendosë nën kontroll një rebelim të mbështetësve të Vëllazërisë Muslimane, të revoltuar nga largimi i dhunshëm i Morsit në fillim të korrikut.

Më parë gjatë gushtit, disa qindra mbështetës të kësaj force mbetën të vrarë në Kajro, kur ushtria ndërhyri për të shpërndarë manifestuesit e vendosura në tenda përpara institucioneve.

Top Channel