Kryeqyteti i Greqisë, Athina, është tronditur nga dy tërmete të fuqishme të verifikuara pasditen e së hënës.

Lëkundja e parë sizmike është regjistruar, sipas Institutit Gjeodinamik të kryqeytetit, por edhe sipas Laboratorit të Sizmologjisë në Selanik, në orën 17 e 49, ora lokale, me fuqi prej 4.6 ballë të shkallës Rihter, kurse e dyta 20 minuta më vonë dhe me fuqi 5.2 ballë.

Epiqendra e dy tërmeteve është regjistruar zona e Ftiotidhës, 120 km në veriperëndim të Athinës. Vlen të përmendim se edhe në 12 gusht një tërmet me fuqi prej 5.1 ballë dhe të njëjtën epiqendër kishte shkaktuar demë në mbi 500 shtëpi.

Specialistët vlerësojnë se dy lëkundjet e sotme janë tërmete që kanë pasuar pikërisht këtë fenomen të ndodhur një muaj më parë. Organet vendore kanë dërguar një grup ekspertësh që do të ndjekin veprimtarinë sizmike dhe do të vlerësojnë dëmet materiale.

Lëkundjet kanë pasur kohëzgjatje të madhe, jo të zakonshme dhe banorët e disa fshatrave të kësaj zone, të frikësuar kanë dalë jashtë shtëpive në panik. Tërmetet janë ndjerë edhe në zonat përreth Lamias dhe Livadhiasë.

Top Channel