Stuhitë godasin Meksikën

15/09/2013 20:45

Brigjet lindore dhe ato perëndimore të Meksikës janë goditur nga dy stuhi të forta. Të paktën 5000 persona u shpërngulën nga brigjet e Gjirit të Meksikës, ndërsa pritet të prekë tokën uragani “Ingrid”, me erëra që arrijnë deri në 120 km në orë.

Brigjet perëndimore, në Oqeanin Paqësor, u goditën nga stuhia tropikale “Manuel”, që solli përgjatë tre ditëve 600 mm shi, dyfishin e reshjeve mujore. Shtetet Oaksaka-s, Gerrero-s dhe Ciuaua-s janë më të goditurit, shumë rrugë janë bërë të pakalueshme.

Uragani “Ingrid” është stuhia e dytë më e madhe, që po shton forcën në Gjirin e Meksikës dhe paraqet rrezik për disa komunitete, që jetojnë në rajon.  Autoritetet meksikane thanë se dy nga tre portet e mëdha të eksportit të naftës jane mbyllur.

Stuhia “Ingrid” pritet të sjellë nga 25 deri në 63 cm reshje shiu në lindje të Meksikës. Kjo do të ndikojë në fryrjen dhe përmbytjen e lumenjve. Në fillim të kësaj jave, të paktën 13 persona humbën jetën në Verakrus, kur shtëpitë e tyre u mbuluan nga një masiv me baltë.

Top Channel