Siria përshëndet marrëveshjen

15/09/2013 20:10

Damasku e konsideron marrëveshjen, e arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, një fitore që shmang luftën.

Pakti u bë publik të shtunën, pas tre ditë bisedimesh mes Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Kerri, dhe ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov.

Ministri sirian i Pajtimit, Ali Hajdar, i tha agjencisë ruse të lajmeve, Ria Novosti, se “marrëveshja është e mirëpritur”.

“Në njërën anë ndihmon Sirinë të dalë nga kjo krizë – tha ai, – dhe në tjetrën shmang luftën kundër Sirisë, duke i penguar ata që kërkonin ta nisnin, pa pasur argumentet për ta bërë. Kjo është një fitore, që Siria arriti në sajë të miqve rusë”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, ndodhet në Izrael për bisedime me kryeministrin Benjamin Nenjtahu.

Përpara takimit, Netanjahu tha se është shumë herët për të vlerësuar marrëveshjen. “Pakti do të gjykohet në rezultatin që do të sjellë – nënvizoi ai. – Ky është shkatërrimi i plotë i të gjithë arsenalit të armëve kimike, që regjimi sirian ka përdorur kundër popullit të tij”.

Të hënën, Kerri do të shkojë në Paris për t’u takuar me homologun francez, atë britanik dhe atë saudit. Shtetet e Bashkuara akuzojnë Damaskun për përdorimin e armëve kimike, në sulmin e 21 gushtit, ku humbën jetën qindra persona.

Për qeverinë siriane, ajo çfarë ndodhi ishte vepër e kryengritësve. Mbi 100 mijë persona kanë humbur jetën prej vitit 2011, kur nisi konflikti në Siri.

Miliona sirianë u zhvendosën brenda territorit dhe miliona të tjerë kanë braktisur shtëpitë për të gjetur strehë në vendet fqinje, por jo vetëm.

Roja bregdetare italiane raportoi të shtunën se mbi 500 persona, kryesisht sirianë u shpëtuan pranë brigjeve të Italisë.

Top Channel