Komisionit Qendror Zgjedhor i kanë mbetur edhe 18 subjekte politike për të përmbyllur në tërësi çertifikimin e 103 partive garuese për zgjedhjet e 3 nëntorit në Republikën e Kosovës.

Në mbledhjen e së dielës, anëtarët e Komisionit Qendror bënë të ditur se, deri më tani janë çertifikuar edhe 1 mijë e 399 kandidatë dhe 70 subjekte politike. Ndërkohë, po të dielën, anëtarët e KQZ-së çertifikuan edhe 15 subjekte të reja, kryesisht të pakicave, përfshirë ato serbe, boshnjake, turke etj.

Me kërkesë të KQZ-së, dy parti serbe kanë ndryshuar emërtimin e tyre, pasi ato akoma aludonin në shtetin serb.

KQZ, po kështu, ka kërkuar nga dy përfaqësuesit e listave serbe, që nga emërtimi i tyre ta heqin emrin “Srbija”, dhe njëra nga to, tashmë e ka pranuar ndryshimin e emrit.

Po kështu edhe lista e përbashkët serbe “Iniciativa qytetare Srbija”, e cila ka mbështetjen e Qeverisë, dhe lista e Oliver Ivanoviçit “Srbija, demokracia, drejtësia”, duhet që nga emërtimi i tyre ta heqin fjalën “Srbija”, siç është kërkuar nga KQZ.

Në ditët në vijim pritet edhe çertifikimi i 18 partive të mbetura, të cilat përmbushin numrin total prej 103 gjithsej, që kanë aplikuar.

Ndërkohë, një kandidat i pavarur dhe një kryetar partie nga pakica boshnjake, për arsye personale janë tërhequr nga gara, dhe kërkesat e tyre për tërheqje janë miratuar nga aëntarët e KQZ-së.

Top Channel