Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, e mirëpriti marrëveshjen e arritur me Rusinë, që sanksionon dorëzimin dhe shkatërrimin e arsenalit të armëve kimike të Sirisë deri në mesin e 2014-s.
Obama e konsideroi këtë si një “hap të rëndësishëm përpara”.
Megjithatë, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë u tregua i kujdesshëm të saktësonte se Uashingtoni pret prej regjimit të al-Assad që të përmbushë të gjithë detyrimet e tij dhe se një ndërhyrje e mundshme ushtarake mbetet gjithmonë një opsion nëse kjo nuk do të ndodhë.
Marrëveshja ruso-amerikane përcakton që Siria duhet të japë të dhëna të plota për armët e saj kimike brenda një jave, ndërsa pas grumbullimit të tyre do të nisë edhe procesi i shkatërrimit.
Nëse Damasku nuk do t’i përmbahet kushteve të vendosura, atëherë ndërhyrja mbi Sirinë mund të sanksionohet nëpërmjet një rezolute të OKB-së.
Kina, një mbështetës i heshtur i regjimit të al-Assad, Franca, Britania e Madhe dhe NATO shprehën të gjithë mbështetjen e tyre për këtë marrëveshje.
“Kina mirëpret termat e përgjithshëm të marrëveshjes midis SHBA-së dhe Rusisë. Besojmë se ajo do të lejojë që tensionet brenda Sirisë të zvogëlohen”, deklaroi nga Pekini ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi.
Siria: Marrëveshja, fitore për ne
Marrëveshja e arritur për armët kimike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë në Gjenevë “është një fitore për Sirinë” dhe “ka shmangur luftën në vend”.
Kështu është shprehur Ali Haidari, ministri i Pajtimit në Siri, në një intervitë për agjensinë ruse ‘Ria Novosti’ në reagimin e parë zyrtar të regjimit sirian ndaj marrëveshjes së ditës së shtunë.
“E mirëpresim marrëveshjen. Nga njëra anë, do të ndihmojë Sirinë të dalë nga kriza dhe nga ana tjetër, do të shmangë luftën në Siri”, tha Haidari.
“Kjo është një fitore për Sirinë që u arrit falë miqve tanë rusë”, shtoi ministri i Pajtimit.
Top Channel