Edhe pas dy ditë bisedime për zgjedhjet e 3 nëntorit, në Bruksel nuk është arritur që të përcaktohet fati i emrit të listës unike serbe, e njohur ndryshe si “Srbija”.

Delegacionet e Kosovës, Serbisë dhe të OSBE-së, që u takuan për të biseduar rreth përgatitjeve që janë bërë deri tani për zgjedhjet lokale në Kosovë, vendosën që t’ia lënë Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës vendimin rreth emrit të kësaj liste.

Zv/kryeministrja Edita Tahiri, e cila si udhëheqëse e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë ishte në Bruksel, tha për gazetën “Tribuna” se për çështjen e listës serbe do të vendosë vetë KQZ-ja, sipas ligjeve të Kosovës.

“Çështja e çertifikimit të subjekteve politike apo listave dhe iniciativave është kompetencë e KQZ-së dhe, siç e dini, në Ligjin për zgjedhjet të Republikës së Kosovës parimet janë të theksuara qartë, që subjektet që aplikojnë për zgjedhje duhet të respektojnë frymën demokratike dhe evropiane dhe në këtë kuadër përfshihen emrat e subjekteve dhe akronimet”, tha Tahiri.

Deri të premten në Zyrën për Regjistrimin e subjekteve politike në KQZ ishin çertifikuar gjithësej 70 subjekte politike për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Drejtues të kësaj zyre kanë deklaruan për Radio Kosovën se e shtuna është afati i fundit kur partitë politike mund të përmirësojnë gabimet teknike në listat e tyre.

Shejfa e Zyrës për Regjistrim në KQZ, Miradije Mavriqi deklaroi se ky institucion zgjedhor është duke e kryer detyrën e tij brenda afatit ligjor dhe theksoi se tashmë janë në fazën finale të verifikimit të dokumentacionit dhe çertifikimit të subjekteve politike.

Top Channel