Obama emëron Zeints në Këshillin Ekonomik

14/09/2013 03:50

Presidenti Barack Obama do të zëvendësojë Gene Sperling, kryekëshilltarin ekonomik të tij, me Jeffrey Zients, një nga ndihmësit kryesorë që ka mbatur rolin e drejtorit të buxhetit, i cili udhëhoqi gjithashtu edhe përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë në modernizimin e qeverisë.

Zients do të zëvendësojë Sperling si drejtor i Këshillit Kombëtar Ekonomik të Obamës, një post që Sperling e mbajti për afro 3 vjet, gjatë të cilave shërbeu si këshilltar ekonomik i Obamës në grindjet e ashpra fiskale me Kongresin. Sperling ka planifikuar të largohet më 1 janar.

Obama shpalli këtë ndryshim të premten, duke e përshkruar Sperling si “një nga këshilltarët më të afërt të tij dhe një shok të ngushtë”. Ai lavdëroi Zients si një ndihmës të admiruar dhe të respektuar në Shtëpinë e Bardhë, me “një reputacion të sprovuar si lider biznesi”.

Zients është një konsultues menaxherial prej një kohe të gjatë, i cili u bashkua me Shtëpinë e Bardhë në 2009-n, si kryeshefi i performancës, duke kryesuar përpjekjet për modernizimin e qeverisë dhe shkurtimin e kostove. Obama e zgjodhi atë më vonë dy herë si drejtor të Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, teksa ka qenë në konsideratën e tij edhe për role të tjera madhore.

Sperling ka shërbyer në të njëjtin pozicion ekonomik edhe në kohën e presidentit Bill Clinton. Ai ka deklaruar se po largohet për arsye personale. Gruaja e tij, një shkrimtare dhe producente, punon në Los Angeles, ndaj dhe Sperling ka kryer shumë udhëtime mes Uashingtonit dhe Kalifornisë.

Përpara se të bëhej drejtor i Këshillit Kombëtar Ekonomik, Sperling ka punuar edhe në Departamentin e Thesarit, duke këshilluar në atë kohë Sekretarin e Thesarit, Tim Geithner, gjatë dy viteve të para të administratës Obama.

Zients u bashkua me Shtëpinë e Bardhë pas 20 vitesh eksperiencë në biznes dhe si shef ekzekutiv, konsulent menaxherial dhe sipërmarrës. Ai ka qenë themelues dhe partner menaxherial i firmës investuese Portfolio Logic.

Posti i Këshillit Kombëtar Ekonomik nuk kërkon konfirmimin nga Senati. Drejtori i parë i Obama-s në këtë këshill ka qenë Larry Summers, një ekonomist me diplomë Harvardi dhe tashmë pretendent kryesor për të zëvendësuar Ben Bernanke, si lider i Rezervës Federale.

Top Channel