Meksikë, përplasje polici-mësues në “Zocalo”

14/09/2013 02:45

Policia në Mexico City është përplasur me protestuesit gjatë një operacioni për të bastisur një shesh, ku mësuesit ishin futur në grevë.

Forcat speciale, të mbështetur edhe nga tanke e helikopterë, çanë barrikadat e krijuara nga mësuesit, vetëm pak kohë pas skadimit të afatit të vendosur ndaj tyre për t’u shpërndarë.

Disa demonstrues u kundërpërgjigjën me bomba molotov. Mësuesit kanë kërkuar ndryshime në reformat e arsimit të aprovuara nga presidenti Enrique Pena Nieto. Autoritetet thanë se donin të pastronin sheshin Zocalo, për shkak të festimeve për ditën e Pavarësisë.

Shumica e protestuesve u larguan në mënyrë paqësore brenda afatit të vendosur nga qeveria, por policia përdori hedhëset e ujit dhe gazin lotsjellës kundër protestuesve që hidhnin raketa në shesh, si dhe në rrugët pranë tij.

Ndryshimet e propozuara nga qeveria përfshijnë testimet e performancës për mësuesit. Kritikët akuzojnë sindikatën e mësuesve të Meksikës se është e korruptuar dhe se ka një kontroll të madh mbi shpërndarjen e vendeve të punës.

Javën e kaluar, mijëra anëtarë të sindikatës protestuan jashtë Senatit, në përpjekje për të ndërprerë kalimin e projektligjit, i cili tashmë është aprovuar edhe nga Dhoma e Deputetëve.

Qeveria ka arkumentuar se kontrolli i sindikatës mbi punët e mësuesve ka kontribuuar në rritjen e korrupsionit, që ka çuar në promovimin e mësuesve me trajnim të varfër, duke lënë pa punë kolegët e tyre më të kualifikuar.

Top Channel