Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë një seri akuzash ndaj qeverisë së Kosovës, duke thënë se ajo nuk është as qeveri e popullit, as qeveri nga populli dhe as qeveri për popullin.

Në mbledhjen e dhjetë të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti e krahasoi gjendjen e sotme në Kosovë me kohën e sundimit të Serbisë.

Ai tha se qeveria është ilegjitime sepse ka dalë nga vota e vjedhur, sepse shkel ligjin, kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve dhe vjedh pasurinë e popullit.

“Qeveria e Kosovës sundon dhe nuk qeveris. Ajo s’ka as ideale e as moral, as plan e as strategji. Qeveria e Kosovës realizon interesa të ngushta vetjake nga dita në ditë dhe nga java në javë, duke mos e lënë shtetin e Kosovës të jetojë e të gjallërohet për të mbijetuar vetë si pushtet”, tha Kurti.

Sipas “RTK”, Kurti bëri akuza edhe ndaj pushtetit lokal, duke thënë se ka kthyer një dukuri të shëmtuar nga koha e Serbisë, kur mbiemri të thuhej para emrit.

“Sot punësim s’ka. Duhet të kesh mbiemrin e duhur, Grabovci, Thaçi, Veseli, sikurse edhe mbiemra të ngjashëm gjithandej Kosovës që të gjesh punë. Gjendja në Kosovë është e mirë për 4-5 për qind të popullsisë, mirëpo vetëm për kaq për qind gjendja ishte e mirë edhe në kohën e Serbisë”, tha Kurti.

Top Channel