Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë, marrë mbrëmjen e së premtes për të anuluar masën për importin e kufizuar të miellit nuk ka mjaftuar që transportuesit maqedonase të zbllokojnë vendkalimin kufitar Bllacë që lidh Maqedoninë dhe Kosovën.

Ata, edhe paraditën e së shtunës me dhjetëra kamionë kanë bllokuar rrugën për automjetet që udhëtojnë nga Kosova drejt Maqedonisë dhe anasjelltas.

”Është bllokuar lëvizja e lirë e qytetarëve. Kam rastin tim personal. Familja ime vijnë nga Kosova me autobus dhe unë isha i detyruar me dal prej shtëpisë me dal me i prit sepse nuk i kanë lënë me kalu me autobus edhe pse janë me fëmijë të vegjel”, dëshmoi një qytetar për kamerat e “TCH”.

”Vendimi i mbrëmshëm i qeverisë së Maqedonisë këtu në kufi nuk respektohet. Dy kamiona këtu e pengojnë lëvizjen e 3 milionë shqiptarëve në këtë kufi”, shtoi një tjetër qytetar.

Përfaqësuesja e Shoqatës së Transportuesve “MakTrans”, Billjana Muratovska tha se kamionët do të zhbllokojnë rrugën në momentin kur pala kosovare do ta nënshkruaj vendimin për heqjen e embargos për mallrat maqedonase.

”Presim vendimin e palës kosovare sepse na është thënë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për heqjen e embargos për mallrat maqedonase, por kryeministri nuk ka pasur mundësi ta firmose. Prandaj edhe sot duhet të qëndrojmë këtu. Në momentin që do të firmoset dokumenti ne do të tërhiqeni dhe do të ketë qarkullim të lirë në kufi”, u shpreh Muratovska.

Ndërkohë, kosovarët që kanë kaluar në këmbë kufirin me Maqedoninë edhe të shtunën kanë qenë të detyruar të paguajnë nga dy euro taksa për hyrje.

Zëdhënësi i qeverisë maqedonase, Muhamet Hoxha, thotë se pas heqjes së masës për importin e kufizuar të miellit situata do të normalizohet. Ai paralajmëroi se taksa kosovarët do të pezullohet mesnatën e së shtunës, kur pritet të zhbllokohet kufiri.

”Qeveria e Maqedonisë, në seancën e mbajtur mbrëmë ka shfuqizuar masën e kufizimit të importit të miellit. Pas këtij vendimi presim që Qeveria e Kosovës të shfuqizojë vendimin e tyre për hyrjen e të gjitha mallrave të Maqedonisë në Kosovë, me çka me automatizëm pezullohet edhe vendimi i Maqedonisë për taksat rrugore për kosovarët. Me këtë, do të zhbllokohet kufiri dhe të gjitha mallrat dhe njerëzit do të mund të lëvizin lirshëm”, deklaroi Hoxha.

Lufta tregtare mes Shkupit dhe Prishtinës i ka shkaktuar biznesit maqedonas humbje mbi 1 milion euro në ditë.

Kompanitë maqedonase eksportojnë në Kosovë mallra në vlerë mbi 300 milion euro në vit, ndërsa importojnë nëntë herë më pak se kjo vlerë.

Top Channel