Kolorado, shtohen viktimat e përmbytjeve

14/09/2013 00:00

Bilanci i viktimave të përmbytjeve në shtetin amerikan të Kolorados është ngjitur në katër, me autoritetet që paralajmërojnë evakuimin e lokalitetit të Boulderit dhe zonave përreth.

Trupi i një gruaje të paidentifikuar u gjet pasi kishte dalë nga makina e saj e mbuluar nga uji, njoftuan autoritetet. Ndërsa zyrat shtetërore u mbyllën gjatë së premtes pasi pritej që shiu të vazhdonte të binte gjatë gjithë natës.

Të paktën 80 persona vazhdojnë të konsiderohen të humbur, njoftojnë autoritetet lokale. Shirat e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme në pronat private dhe kanë detyruar skuadrat e shpëtimit t’u vijnë në ndihmë 2.500 personave.

Më shumë se 38 centimetra shi, thuajse gjysma e mesatares vjetore të reshjeve, ranë vetëm në një javë, sipas shërbimit meteorologjik lokal.

Presidenti Barack Obama ka firmosur një urdhër emergjence duke miratuar ndihmë federale për katastrofën që ka përfshirë kontenë Boulder.

Qytete të tjera si Xhejmstaun, Lions dhe Longmont thuhet se janë kthyer në ishuj nga përmbytjet. Autoritetet ngritën barrikada për të ndaluar disa banorë në largim që të kalonin me mjetet e tyre në zonat e përmbytura.

Shirat e rrëmbyeshme, që sipas autoriteteve regjistrohen vetëm një herë në 100 vjet, kanë penguar skuadrat e shpëtimit që të arrijnë tek komunitetet e prekura nga përmbytjet.

Top Channel