Filipine, qeveria negocion me rebelët

14/09/2013 00:00

Zëvendëspresidenti i Filipineve, Jejomar Binay do të zhvillojë bisedime me rebelët myslimanë pas pesë ditë përleshjesh të armatosura në qytetin jugor Zamboanga.

Qëllimi i këtyre bisedimeve është t’i jepet fund përplasjes, si dhe mbajtjes peng të 100 personave nga Fronti Nacional Çlirimtar.

Luftimet kanë vazhduar pavarësisht një armëpushimi të arritur mes qeverisë dhe rebelëve vonë gjatë së premtes.

Mbi 22 persona kanë vdekur në aktet e dhunës që shpërthyen ditën e hënë, ndërsa rreth 1.500 banorë janë zhvendosur nga dhuna dhe një shtetrrethim është në fuqi.

Presidenti Benigno Aquino, që shkoi në Zamboanga ditën e premte, më herët lëshoi një paralajmërim për rebelët që të mos lëndonin civilët. Ai tha se trupat qeveritare kanë forcë më të madhe dhe se nuk do të hezitojnë ta përdorin atë në një rast të tillë.

Sekretari i Mbrojtjes, Voltaire Gazmin deklaroi se rebelët kishin shkelur armëpushimin që do të hynte në efekt mesnatën e së premtes.

“Të gjithë duan paqe, duan që të ndalet kjo gjakderdhje. Por teksa flasim ka përdorim armësh dhe jo armëpushim. Ne ramë dakord që trupat qeveritare nuk do të qëllonin vetëm nëse rebelët nuk do të hapnin zjarr”, deklaroi zoti Gazmin.

Banorët në Zamboanga deklaruan për mediat ndërkombëtare se shkëmbimet e zjarrit mund të dëgjoheshin gjatë orëve të natës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB