Sulmet në Egjipt, “Hamas” mohon përfshirjen

13/09/2013 16:05

Lëvizja islamike palestineze e “Hamas”-it mohoi spekulimet se ajo është duke stërvitur dhe mbështetur materialisht militantët që kanë ndërmarrë një seri sulmesh me bombë në Egjipt gjatë dy javëve të fundit.

Televizioni Shtetëror Egjiptian fajësoi të enjten degën ushtarake të “Hamas”-it për stërvitjen e xhihadistëve aktivë në Sinai, përgjegjës për sulmet dhe shpërthimet e ndodhuranë vend.

Gazeta shtetërore “al-Ahram” fajësoi lëvizjen palestineze edhe për një atentat të dështuar ndaj ministrit të Brendshëm egjiptian, më parë gjatë javës.

Këto akuza direkte detyruan një zëdhënës të “Hamas”-it që këtë të premte të përgënjeshtronte këto informacione.

“Të gjitha këto akuza janë jokorrekte, të pabazuara në fakte dhe një tentativë e qartë për të demonizuar “Hamas”-in”, deklaroi zëdhënësi.

Kajro zyrtare ka akuzuar prej kohësh këtë organizatë, e cila drejton Rripin e Gazës, enklavën e kufizuar në perëndim nga Egjipti, për ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit që prej rrëzimit të presidentit islamik Mohammed Morsi, më parë gjatë muajit korrik.

Top Channel