Siri, armët kimike drejt vendeve fqinje

13/09/2013 15:20

Ndërsa presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad ka pranuar që të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar duke dorëzuar armët e tij kimike për shkatërrim, një prej drejtuesve kryesore të kryengritësve që po e luftojnë ka dyshime të forta nëse një plan i tillë mund të funksionojë.

Gjenerali Salim Idriss, në një lidhje direkte me “CNN”, nga një vendndodhje e panjohur brenda Sirisë, informoi se tashmë ushtria ka nisur një operacion të gjerë të zhvendosjes së këtyre armëve të shkatërrimit në masë në zona të sigurta tek aleatët e saj në Irak dhe Liban.

“Sot, na ka ardhur informacioni se regjimi ka nisur të zhvendosë armët kimike, të cilat do t’i mbajë në vendndodhje të sigurta në Liban e Irak. Kjo do të thotë se i gjithë operacioni i dorëzimit të armëve kimike tek komuniteti ndërkombëtar është një farsë dhe një nismë e destinuar të dështojë”, deklaroi gjenerali Idriss.

Gazetarët e “CNN” nuk ishin në gjendje që të vërtetonin në mënyrë të pavarur këtë pretendim për zhvendosjen e armëve.

Megjithatë, disa zyrtarë izraelitë i thanë rrjetit gjigant mediatik amerikan se nga vëzhgimet e tyre me satelit dhe me mjete të tjera në terren, nuk kanë pikasur lëvizje të mëdha të trupave në zonat kufitare me këto dy vende dhe se ata përjashtojnë me një përqindje të madhe që një zhvendosje të ndodhë në këtë fazë të konfliktit.

Nga funksionimi i marrëveshjes së propozuar nga Rusia, për vendosjen nën kontroll të arsenalit kimik të Sirisë besohet se do të varet edhe fati i sulmit të mbetur pezull mbi regjimin e Bashar al-Assad, prej forcave amerikane dhe aleatëve perëndimorë.

Iraku dhe Libani, në qëndrimet e tyre zyrtare, kanë përjashtuar kategorikisht mundësinë që armë të al-Assad të fshihen në territorin e vendit të tyre, përkatësisht në zonat shiite dhe territoret e kontrolluara nga Hezbollahu, në secilin prej këtyre vendeve.

Top Channel