Përfaqësuesit ilegalë të komunës së Zveçanit, të cilët më 10 shtator u shpërndanë nga qeveria e Serbisë, nuk e pranojnë një vendim të tillë dhe kërkojnë që ai të tërhiqet. Lajmin e bën të ditur agjencia serbe “B92”.

”Vendimi nuk është zbatuar sepse nuk janë përmbushur kushtet që dalin nga ligji për administrimin lokal. Është e domosdoshme ndalja e destabilizimit të gjendjes në këtë komunë”, thuhet në një komunikatë.

Krerët e udhëheqjes lokale theksojnë se shpërbërja e qeverisë komunale është bërë sepse ata nuk duan të zbatojnë dispozitat Marrëveshjes së Brukselit dhe nuk duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit, të cilat i ka dekretuar presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Një ditë më parë qeveria e Beogradit bëri emërimet e reja në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, disa prej të cilave u pritën me pakënaqësi.

Kështu, qeveria serbe emëroi Krstimir Pantiç kryetar të këshillit të përkohshëm të Mitrovicës, ndërsa Dragisha Vlaskoviç, Dragan Radisavljeviç, Aleksander Spiriç dhe Ninislav Gjeriç pjesëtarë të tjerë të këtij këshilli.

Për kreun e këshillit të përkohshëm të komunës së Leposaviçit u emërua Dragan Jablanoviç, ndërsa anëtarë Dabrivoje Gjurgjeviç, Zoran Todiç, Mark Kuzmanoviç dhe Rodos Mihajloviç.

Për kreun e këshillit të përkohshëm të Zveçanit, Beogradi zyrtar emëroi Dragan Nedeljkoviç, ndërsa pjesëtarë Ivan Todosijeviç, Sinisha Milosavljeviç, Milivoje Galjak dhe Miodrag Açiç.

Qeveria e Serbisë emëroi edhe Stefan Vuloviç si kryetar të këshillit të përkohshëm të Zubin Potokut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA