Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, tha se raporti i ekspertëve të armëve kimike, me shumë gjasa, do të konfirmojë përdorimin e gazit helmues, që u përdor më 21 gusht në periferi të Damaskut, ku humbën jetën qindra persona.
“Unë besoj se raporti do të jetë një dërrmues se armët kimike u përdorën, megjithëse unë nuk mund ta them publikisht tani, përpara se të marr raportin”, tha Ban Ki-Moon. Ai i referohej raportit të Ake Sellstrom, ekspertit që drejtoi vëzhguesit e OKB-së.
Ban Ki-Moon tha gjithashtu se, presidenti sirian ka kryer krime kundër njerëzimit, por ai nuk specifikoi nëse ishte Assad apo kryengritësit, që përdorën armë kimike më 21 gusht.
Në komentin e tij të sinqertë, në Forumin Ndërkombëtar të Grave, Ban Ki-Moon shprehu zhgënjimin me Këshillin e Sigurimit. Të hënën, siç raportohet, do të bëhet publik raporti i ekspertëve në Këshillin e Sigurimit.
Bisedimet e Gjenevës
Kryediplomatët e SHBA dhe Rusisë: Diskutimet, konstruktive
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry i cilësoi “kontruktive” bisedimet e para me homologun rus, Sergei Lavrov, për të vendosur nën kontrollin ndërkombëtar armët kimike të Sirisë.
Dy diplomatët nisën ditën e dytë të bisedimeve, duke takuar të dërguarin e Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe për Sirinë, Lakdar Brahimi.
“Besoj se të dy palët biem dakord, që patëm bisedime kontruktive në lidhje me çështjen, por ato po vazhdojnë dhe ne do t’i kthehemi sërish”, tha Kerry.
“Jemi këtu për të diskutuar çështjen e armëve kimike në Siri. Tani që qeveria e Assad-it iu bashkua Konventës së Armëve Kimike, kemi angazhuar profesionistët tanë bashkë me organizatën që ndalon armët kimike, siç ramë dakord me OKB-në, për të caktuar rrugën, e cila do të garantojë që kjo çështje të zgjidhet shpejt, në mënyre profesionale, sa më shpejt të jetë praktike”, tha Lavrov.
Bisedimet Lavrov-Kerry priten të zgjasin deri të shtunën. Kerry tha se “ai dhe ministri i Jashtëm rus kanë planifikuar të takohen, ndërsa zhvillohet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, që nis më 24 shtator në Nju Jork, për të vendosur një datë për zhvillimin e konferencës së paqes “Gjeneva 2”.
Nëse bisedimet do të rezultojnë të suksesshme, Shtetet e Bashkuara shpresojnë që procesi i çarmatimit të armëve kimike të marrë miratimin e Këshillit të Sigurimit. Por, për Moskën është e papranueshme çdo rezolutë, që mbështet forcën ushtarake apo ato që fajësojnë qeverinë siriane për sulmet kimike.
Në zhvillime të tjera:
*Presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi vendimin e Damaskut, për t’iu bashkuar Konventës së Armëve Kimike, një hap të rëndësishëm përpara, drejt zgjidhjes së krizës në Siri. Gjithashtu, sipas tij, ai dëshmon qëllimin serioz të Bashar al-Assad-it për ta ndjekur këtë rrugë.
*Rebelët sirianë thanë se një lëvizje e tillë nuk do të ndalojë vrasjet në Siri. Zëdhënësi i “Ushtrisë së Lirë Siriane” i tha BBC-së se, “Assad ka shumë armë konvencionale dhe po përpiqet të “blejë kohë” me ndihmën e rusëve”.
*Hetuesit e OKB-së për krimet e luftës akuzuan qeverinë siriane, se po vë në shënjestër spitalet, në zonat e kontrolluara nga kryengritësit, duke i përdorur si armë lufte “mohimin e spitaleve”, por nga ana tjetër ka fakte se edhe disa grupe anti-qeveritare kanë vënë në shënjestër spitalet.
Top Channel