Gazeta pro-Kremlinit ofertë Obamës

13/09/2013 00:00

E përditshmja ruse “Izvestia” i ka propozuar presidentit amerikan Barack Obama që t’i përgjigjet presidentit rus Vladimir Putin me një editorial të tijin mbi situatën në Siri.

Propozimi vjen pas kritikave që Putin bëri përmes një editoriali në “New York Times” ndaj propozimit të Shteteve të Bashkuara për një ndërhyrje të armatosur për të zgjidhur krizën në Siri.

Gazeta “Izvestia” konsiderohet si një organ mediatik i afërt me presidentin rus. Fjalët e Putin të publikuara në prestigjozen amerikane bënë që mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit të shpërthenin polemikat.

Ministri i Jashtëm rus, Serghiei Lavrov, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry dhe i dërguari i OKB-së, Lakhtar Brahimi janë dakord se dhuna që ka përfshirë Sirinë mund të ndalet vetëm me një zgjidhje politike.

Lajmin e ka bërë të ditur pasditen e së premtes Ministria e Jashtme ruse, përmes një komunikate për shtyp të lëshuar pas takimit trepalësh të zhvilluar sot në Gjeneve të Zvicrës.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, për Sirinë dhe armët e saj kimike Rusia synon nënshkrimin e një deklarate presidenciale nga ana e Damaskut, për t’u miratuar unanimisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke anashkaluar përdorimin e forcës.

Më herët në qëndrimet e saj Moska zyrtare ka deklaruar se armët kimike në sulmin e 21 gushtit u përdorën nga fraksionet e rebelëve dhe jo nga regjimi i presidentit Bashar al Assad, sikundër pretendojnë fuqitë e Perëndimit.

Top Channel